Programi Kennedy-Lugar Youth Exchange and Study (YES)

Përmes Programit Kennedy-Lugar Youth Exchange and Study (YES) të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, nxënës të shkollave të mesme nga vende me rëndësi strategjike në mbarë botën jetojnë dhe studiojnë për një semestër akademik në Shtetet e Bashkuara. Nxënësit e programit YES shërbejnë si “ambasadorë të rinj” të vendit të tyre, duke krijuar marrëdhënie të qëndrueshme me familjet pritëse dhe komunitetet e tyre. Pjesëmarrësit jetojnë me një familje pritëse, ndjekin mësimet në një shkollë të mesme amerikane, zhvillojnë aftësi udhëheqëse dhe marrin pjesë në aktivitete për të mësuar rreth shoqërisë amerikane; njëkohësisht, ata i ndihmojnë amerikanët të mësojnë më shumë për vendin dhe kulturën e tyre. Aplikantët konkurrojnë për programin YES përmes një procesi rigoroz përzgjedhjeje të bazuar në meritë. Programi YES u themelua nga Kongresi i SHBA-së në tetor 2002. Programi YES Abroad u krijua në vitin 2009 për t’u ofruar një përvojë të ngjashme nxënësve nga SHBA-ja (15-18.5 vjeç), të cilët kalojnë një vit akademik në vende të përzgjedhura pjesëmarrëse në programin YES.

Aplikimi për Programin YES për periudhën janar–qershor 2027 është i hapur. Afati i fundit për aplikim është 15 shtator 2026.

ÇFARË OFRON PROGRAMI?

Programi YES ofron:

  • Udhëtimin vajtje-ardhje brenda vendit dhe ndërkombëtar (nga vendbanimi deri në Shtetet e Bashkuara dhe kthimin);

  • Një pagesë mujore për t’i ndihmuar nxënësit të marrin pjesë në aktivitete shoqërore dhe të blejnë gjërat e nevojshme personale;

  • Vendosjen për një semestër (janar–qershor 2027) me një familje pritëse amerikane të përzgjedhur dhe të verifikuar;

  • Regjistrimin në një shkollë të mesme në SHBA;

  • Aktivitete orientuese të programit, përfshirë përgatitjen para nisjes dhe përgatitjen për rikthim;

  • Aktivitete të programit të organizuara në komunitetet lokale në SHBA; dhe

  • Sigurim shëndetësor, me përjashtim të gjendjeve shëndetësore para-ekzistuese dhe kujdesit dentar.

ÇFARË NUK MBULON PROGRAMI?

Programi YES NUK i mbulon shpenzimet e mëposhtme:

  • Çdo shpenzim që lidhet me pajisjen me pasaportë ndërkombëtare;

  • Shpenzimet personale që nuk mbulohen nga pagesa mujore;

  • Shpenzimet për bagazh të tepërt, faturat e telefonit ose përdorimin e internetit.

SI FUNKSIONON PROCESI I TESTIMIT DHE PËRZGJEDHJES?

Nxënësit konkurrojnë në disa raunde të procesit online. Në fazën e gjysmëfinalistëve, nxënësit dhe prindërit e tyre ftohen në një takim informues për të mësuar më shumë rreth programit. Më pas, nxënësit marrin pjesë në një intervistë individuale me stafin e American Councils, i nënshtrohen një testi të standardizuar të gjuhës angleze, shkruajnë ese nën mbikëqyrje dhe plotësojnë e dorëzojnë online aplikacionin e programit YES brenda afatit të përcaktuar. Përzgjedhja do të bazohet në meritë dhe në gatishmërinë e dëshmuar për një përvojë shkëmbimi njësemestrale, siç reflektohet në aplikacionin e plotë të nxënësit. Njohja e gjuhës angleze është e rëndësishme, por nuk është kriteri i vetëm i përzgjedhjes. Nxënësve do t’u kërkohet gjithashtu të paraqesin vlerësime mjekësore dhe të vërtetohet se janë të aftë nga ana shëndetësore për të marrë pjesë në program.

Procesi i përzgjedhjes do të përfundojë në nëntor 2026 dhe të gjithë aplikantët do të njoftohen për statusin e tyre gjatë nëntorit 2026. Finalistët e përzgjedhur do të marrin pjesë në një orientim para nisjes në vendin e tyre dhe do të udhëtojnë për në SHBA në janar 2027. Nxënësit do të kthehen në vendin e tyre në qershor 2027. Pjesëmarrësit e programit YES duhet të kthehen në vendin e tyre në përfundim të programit, në datën e përcaktuar nga American Councils. Viza amerikane e lëshuar për pjesëmarrësit e programit nuk do të ndryshohet ose zgjatet përtej datës së përfundimit të programit, për asnjë arsye.

ÇFARË DUHET TË MARR PARASYSH PARA SE TË APLIKOJ PËR PROGRAMIN YES?

Nxënësit e interesuar për këtë program duhet të marrin parasysh ndikimet e mundshme negative të pjesëmarrjes në program:

  • A do të më duhet ta përsëris një vit shkollor pas kthimit në vend?

  • A do të kthehem shumë vonë për t’iu nënshtruar provimeve përfundimtare të shkollës ose provimeve pranuese në universitet/institut? Nxënësit e programit YES kthehen në komunitetet e tyre në qershor 2027.

  • A do ta shtyjë universiteti ose instituti pranimin tim nëse tashmë jam pranuar?

  • A do të më kërkohet të kryej shërbimin ushtarak pas kthimit?

  • A do të kem të drejtë të diplomoj me nderime/të marr medalje të artë në shkollën time?

Së fundi, megjithëse nxënësit ndjekin një shkollë të mesme në SHBA, kurrikula ndryshon ndjeshëm nga ajo në vendet e tjera dhe ka shumë gjasa që të mos zhvillohen të njëjtat përmbajtje mësimore.

KUSH KA TË DREJTË TË APLIKOJË?

  • Duhet të ketë datëlindjen nga 15 korrik 2008 deri më 15 korrik 2011, inklusive;

  • Duhet të jetë nxënës/e i/e klasës* së 10-të, 11-të ose 12-të në kohën e aplikimit për programin;

  • Duhet të ketë sukses të mirë në shkollë;

  • Duhet të ketë mësuar më parë gjuhën angleze dhe të dëshmojë nivel të lartë të njohjes së gjuhës angleze në kohën e aplikimit;

  • Duhet të jetë banor/e dhe shtetas/e i/e Kosovës;

  • Duhet t’i plotësojë kriteret për pajisje me vizë amerikane; dhe

  • NUK duhet të ketë qëndruar më shumë se nëntëdhjetë (90) ditë në SHBA gjatë pesë (5) viteve të fundit.

*Kriteri i klasës i referohet klasës që nxënësi/ja do të ndjekë gjatë vitit shkollor 2026–2027 (p.sh., nëse e keni përfunduar klasën e 9-të në qershor 2026 dhe do të filloni klasën e 10-të në shtator 2026, në aplikacion shënoni klasën e 10-të, edhe nëse aplikacionin e plotësoni në gusht).

‍SI MUND TË APLIKOJ?

Filloni aplikimin në ais.americancouncils.org/yes. Afati i fundit për aplikim është 15 shtator 2026.

 

Kontakti i Programit

yes.ks@americancouncils.org

+383 38 226 255