Programi Kennedy-Lugar Youth Exchange and Study (YES)
Përmes Programit Kennedy-Lugar Youth Exchange and Study (YES) të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, nxënës të shkollave të mesme nga vende me rëndësi strategjike në mbarë botën jetojnë dhe studiojnë për një semestër akademik në Shtetet e Bashkuara. Nxënësit e programit YES shërbejnë si “ambasadorë të rinj” të vendit të tyre, duke krijuar marrëdhënie të qëndrueshme me familjet pritëse dhe komunitetet e tyre. Pjesëmarrësit jetojnë me një familje pritëse, ndjekin mësimet në një shkollë të mesme amerikane, zhvillojnë aftësi udhëheqëse dhe marrin pjesë në aktivitete për të mësuar rreth shoqërisë amerikane; njëkohësisht, ata i ndihmojnë amerikanët të mësojnë më shumë për vendin dhe kulturën e tyre. Aplikantët konkurrojnë për programin YES përmes një procesi rigoroz përzgjedhjeje të bazuar në meritë. Programi YES u themelua nga Kongresi i SHBA-së në tetor 2002. Programi YES Abroad u krijua në vitin 2009 për t’u ofruar një përvojë të ngjashme nxënësve nga SHBA-ja (15-18.5 vjeç), të cilët kalojnë një vit akademik në vende të përzgjedhura pjesëmarrëse në programin YES.
Aplikimi për Programin YES për periudhën janar–qershor 2027 është i hapur. Afati i fundit për aplikim është 15 shtator 2026.
ÇFARË OFRON PROGRAMI?
Programi YES ofron:
Udhëtimin vajtje-ardhje brenda vendit dhe ndërkombëtar (nga vendbanimi deri në Shtetet e Bashkuara dhe kthimin);
Një pagesë mujore për t’i ndihmuar nxënësit të marrin pjesë në aktivitete shoqërore dhe të blejnë gjërat e nevojshme personale;
Vendosjen për një semestër (janar–qershor 2027) me një familje pritëse amerikane të përzgjedhur dhe të verifikuar;
Regjistrimin në një shkollë të mesme në SHBA;
Aktivitete orientuese të programit, përfshirë përgatitjen para nisjes dhe përgatitjen për rikthim;
Aktivitete të programit të organizuara në komunitetet lokale në SHBA; dhe
Sigurim shëndetësor, me përjashtim të gjendjeve shëndetësore para-ekzistuese dhe kujdesit dentar.
ÇFARË NUK MBULON PROGRAMI?
Programi YES NUK i mbulon shpenzimet e mëposhtme:
Çdo shpenzim që lidhet me pajisjen me pasaportë ndërkombëtare;
Shpenzimet personale që nuk mbulohen nga pagesa mujore;
Shpenzimet për bagazh të tepërt, faturat e telefonit ose përdorimin e internetit.
SI FUNKSIONON PROCESI I TESTIMIT DHE PËRZGJEDHJES?
Nxënësit konkurrojnë në disa raunde të procesit online. Në fazën e gjysmëfinalistëve, nxënësit dhe prindërit e tyre ftohen në një takim informues për të mësuar më shumë rreth programit. Më pas, nxënësit marrin pjesë në një intervistë individuale me stafin e American Councils, i nënshtrohen një testi të standardizuar të gjuhës angleze, shkruajnë ese nën mbikëqyrje dhe plotësojnë e dorëzojnë online aplikacionin e programit YES brenda afatit të përcaktuar. Përzgjedhja do të bazohet në meritë dhe në gatishmërinë e dëshmuar për një përvojë shkëmbimi njësemestrale, siç reflektohet në aplikacionin e plotë të nxënësit. Njohja e gjuhës angleze është e rëndësishme, por nuk është kriteri i vetëm i përzgjedhjes. Nxënësve do t’u kërkohet gjithashtu të paraqesin vlerësime mjekësore dhe të vërtetohet se janë të aftë nga ana shëndetësore për të marrë pjesë në program.
Procesi i përzgjedhjes do të përfundojë në nëntor 2026 dhe të gjithë aplikantët do të njoftohen për statusin e tyre gjatë nëntorit 2026. Finalistët e përzgjedhur do të marrin pjesë në një orientim para nisjes në vendin e tyre dhe do të udhëtojnë për në SHBA në janar 2027. Nxënësit do të kthehen në vendin e tyre në qershor 2027. Pjesëmarrësit e programit YES duhet të kthehen në vendin e tyre në përfundim të programit, në datën e përcaktuar nga American Councils. Viza amerikane e lëshuar për pjesëmarrësit e programit nuk do të ndryshohet ose zgjatet përtej datës së përfundimit të programit, për asnjë arsye.
ÇFARË DUHET TË MARR PARASYSH PARA SE TË APLIKOJ PËR PROGRAMIN YES?
Nxënësit e interesuar për këtë program duhet të marrin parasysh ndikimet e mundshme negative të pjesëmarrjes në program:
A do të më duhet ta përsëris një vit shkollor pas kthimit në vend?
A do të kthehem shumë vonë për t’iu nënshtruar provimeve përfundimtare të shkollës ose provimeve pranuese në universitet/institut? Nxënësit e programit YES kthehen në komunitetet e tyre në qershor 2027.
A do ta shtyjë universiteti ose instituti pranimin tim nëse tashmë jam pranuar?
A do të më kërkohet të kryej shërbimin ushtarak pas kthimit?
A do të kem të drejtë të diplomoj me nderime/të marr medalje të artë në shkollën time?
Së fundi, megjithëse nxënësit ndjekin një shkollë të mesme në SHBA, kurrikula ndryshon ndjeshëm nga ajo në vendet e tjera dhe ka shumë gjasa që të mos zhvillohen të njëjtat përmbajtje mësimore.
KUSH KA TË DREJTË TË APLIKOJË?
Duhet të ketë datëlindjen nga 15 korrik 2008 deri më 15 korrik 2011, inklusive;
Duhet të jetë nxënës/e i/e klasës* së 10-të, 11-të ose 12-të në kohën e aplikimit për programin;
Duhet të ketë sukses të mirë në shkollë;
Duhet të ketë mësuar më parë gjuhën angleze dhe të dëshmojë nivel të lartë të njohjes së gjuhës angleze në kohën e aplikimit;
Duhet të jetë banor/e dhe shtetas/e i/e Kosovës;
Duhet t’i plotësojë kriteret për pajisje me vizë amerikane; dhe
NUK duhet të ketë qëndruar më shumë se nëntëdhjetë (90) ditë në SHBA gjatë pesë (5) viteve të fundit.
*Kriteri i klasës i referohet klasës që nxënësi/ja do të ndjekë gjatë vitit shkollor 2026–2027 (p.sh., nëse e keni përfunduar klasën e 9-të në qershor 2026 dhe do të filloni klasën e 10-të në shtator 2026, në aplikacion shënoni klasën e 10-të, edhe nëse aplikacionin e plotësoni në gusht).
SI MUND TË APLIKOJ?
Filloni aplikimin në ais.americancouncils.org/yes. Afati i fundit për aplikim është 15 shtator 2026.