American Councils Insider Tour – Një Përvojë që Shfaq Ndikimin e Qëndrueshëm të Shkëmbimit Kulturor

Mënyra më e mirë për të kuptuar historinë e një rajoni nuk është përmes monumenteve — por përmes njerëzve të tij.

Kjo filozofi udhëhoqi Insider Tour‑in e vitit 2025 të organizuar nga American Councils, ku 11 udhëtarë nga Shtetet e Bashkuara morën pjesë në një udhëtim një-javor në Ballkanin Perëndimor duke eksploruar Kosovën dhe Shqipërinë. Nga Prishtina në Tiranë, udhëtimi ofroi një pamje të qartë se si ish‑bursistët e programeve të shkëmbimeve, të menaxhuara nga American Councils, po formësojnë progresin dhe zhvillimin në vendet e tyre. Teksa këta ish-bursist morën rolin e mikpritësve, ky udhëtim përqafoi thelbin e shkëmbimeve ndërkombëtare: një përvojë formuese jashtë vendit dhe si një investim i përjetshëm në ndërtimin e marrëdhënieve ndërkulturore.

Për Sefeda Lazaj, ish‑bursiste e programit Kennedy-Lugar Youth Exchange and Study (YES) Program ne Shqipëri, financuar nga Departamenti i Shteteve të Bashkuara, dhe aktualisht Koordinatore e Alumni të YES në American Councils Shqipëri, mikpritja e këtij grupi për të ishte një ndjenjë e veçantë:

“Para disa vitesh përjetova ngrohtësinë dhe bujarinë e një komuniteti pritës në SHBA gjatë vitit tim shkëmbues. Tani, duke mirëpritur këta mysafirë në vendin tim, ishte një kujtesë e fuqishme se sa domethënës dhe reciprok janë këto shkëmbime.”


Kosova: Mes Gjurmëve të Historisë dhe së Ardhmes

Në Prishtinë, udhëtarët përjetuan lidhjen e bukur mes trashëgimisë së lashtë të Kosovës dhe historisë së saj moderne. Pikat kryesore përfshinë Katedralen Nënë Tereza, Manastirin e Graçanicës nga shekulli XIV, rrënojat romake të Ulpianës, si dhe rrugët që mbajnë emrat e udhëheqësve amerikanë që luajtën një rol vendimtar në mbështetjen e pavarësisë së Kosovës — simbole të lidhjes së thellë dhe të qëndrueshme mes SHBA-së dhe Kosovës.

Medina Billali, ish‑koordinatore e Alumni të YES në American Councils Kosova, ndau reflektime nga këndvështrimi i rinisë Kosovare: 

“Teksa reflektonim mbi ndryshimet kulturore në Kosovë, ngritjen e teknologjisë dhe rrjeteve sociale, dhe mënyrën se si studentët qasen sot ndaj informacionit, arritëm të kuptojmë më thellë realitetin aktual të arsimit ndërkombëtar.”

Më pas, në Pejë, grupi u takuan me Sado Musić, ish-bursist i programit YES dhe aktualisht Përfaqësues i Qytetit të Pejës per programin YES. Sado ndau kujtime nga viti i tij i shkëmbimit në shkollën e mesme në Shtetet e Bashkuara, ndërsa iu bashkua grupit në një ecje drejt Ujëvarës së Drinit të Bardhë — një vend që ai nuk e kishte vizituar më parë. Të përjetonte atë vend së bashku me mbështetës të tjerë të arsimit ndërkombëtar, sipas tij, “e bëri përvojën edhe më të veçantë.

Ndalesat e tjera përfshinë rrugicat me kalldrëm të Gjakovës dhe Xhaminë historike të Hadumit nga shekulli XVI, ndjekur nga Manastiri i Deçanit — një vend i mbrojtur nga UNESCO. Udhëtimi përfshiu gjithashtu vizitën në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit, një qendër kyçe e bashkimit kombëtar shqiptar, si dhe Kompleksin Adem Jashari, në nder të luftës së Kosovës për liri dhe pavarësi.

Vizita në Kosovë u ofroi pjesëmarrësve një pasqyrë domethënëse mbi zhvillimin e vendit më të ri demokratik në Evropë. Charlotte Cook, një nga pjesëmarrëset e udhëtimit, reflektoi, “Kisha lexuar pak për luftën para se të vija, por jo për vendin siç është sot, ndaj e vlerësova jashtëzakonisht shumë përjetimin e Kosovës në vitin 2025.”


Shqipëria: Një Pasqyrë e Ndikimit të Shkëmbimeve

Duke kaluar në Shqipërinë veriore, ish-bursistët e programeve të shkëmbimit morën rolin e mikpritësve dhe udhërrëfyesve, duke ndarë perspektiva e tyre mbi karrierat dhe angazhimin e tyre në komunitet. Alumni të programit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së Junior Faculty Development Program (JFDP) në Universitetin e Shkodrës treguan se si përvoja e tyre në universitetet amerikane, më shumë se një dekadë më parë, vazhdon ende të ndikojë metodologjinë e tyre të mësimdhënies në vitin 2025.

Duke udhëtuar përgjatë bregdetit jugor të Shqipërisë, grupi eksploroi qytetin e Sarandës dhe Parkun Kombëtar të Butrintit, një pasuri botërore e mbrojtur nga UNESCO që ruan gjurmë arkeologjike nga qytetërimet greke, romake, bizantine dhe veneciane. Në Vlorë, udhëtarët u takuan me alumni të programit YES dhe familjet e tyre, si dhe me përfaqësues nga American Corner dhe Qendra Rinore e Vlorës — qendra lokale ku ish-bursistët marrin nisma qytetare dhe frymëzojnë përfshirjen komunitare.

Vizita përfundoi në Tiranë me një vizitë në Selinë Botërore të Bektashinjve dhe një takim me drejtues të bashkisë, të cilët theksuan se si ish-bursistët po udhëheqin përfshirjen e të rinjve dhe po ndikojnë në formësimin e iniciativave të zhvillimit lokal në gjithë kryeqytetin.


Një Investim Afatgjatë në Njerëz dhe Partneritete

Carol Alim, vullnetare e American Councils prej shumë vitesh pranë, e cila vlerëson aplikimet e studentëve për programet Future Leaders Exchange (FLEX) dhe Youth Exchange and Study (YES), theksoi se takimi me ish-bursistët në komunitetet e tyre është një nga përvojat më domethënëse. “Këto udhëtime na japin mundësinë të vizitojmë vendet që studentët përshkruajnë në aplikimet e tyre - si një park që një aplikant e ka përmendur si vendin e preferuar për të shkuar me shokë të ngushtë.”

Susan Rheney, anëtare e Bordit të American Councils dhe pjesëmarrëse në këtë udhëtim, shtoi:

“Mundësia për t’u takuar me stafin, ish-bursitët dhe pjesëmarrësit aktualë të programeve të shkëmbimit na dha një ndjesi të qartë për ndikimin, rëndësinë dhe nevojën për programe të tilla shkëmbimi.”


Zbuloni Insider Tour-et e American Councils — dhe Bëhu Pjesë e Aventurës Sonë të Radhës

Insider Tour-s të American Councils janë programe udhëtimi 10 deri në 12 ditë që ofrojnë një hyrje të thellë dhe personale në vendet, kulturat dhe komunitetet me të cilat kemi ndërtuar partneritete prej dekadash. Të udhëhequra nga stafi ynë i besuar dhe ish-bursitët që jetojnë e punojnë në këto rajone, këto udhëtime shkojnë përtej itinerarit klasik turistik, duke përzier vendet ikonike me thesare të fshehura, perspektiva lokale dhe rrëfime me jehonë globale. Udhëtarët mirëpriten në një rrjet partnerësh dhe miqsh që kanë qenë pjesë e rrugëtimit tonë për vite me radhë — dhe janë gati të bëhen pjesë e rrugëtimit tuaj.

Udhëtimi i ardhshëm është planifikuar për pranverën e vitit 2026, me destinacion Uzbekistanin!

Nën udhëheqjen e ish-bursistëve lokal dhe stafit të American Councils në Uzbekistan, do të zbuloni arkitekturën mahnitëse të Rrugës së Mëndafshit, udhqimet e shijshme, pazaret plot ngjyra dhe peizazhe natyrore që të lënë pa frymë — e gjitha kjo ndërsa krijoni lidhje të vërteta me njerëzit që e njohin më së miri këtë vend.

Gati për të përjetuar diçka përtej të zakonshmes? Vizitoni Insider Tours për të mësuar më shumë dhe regjistrohuni në listën e njoftimeve për të qëndruar të informuar — ose na kontaktoni në: insidertours@americancouncils.org


Shënim i Editorit: American Councils nderon kujtimin e John Terence “Terry” Wharton — një vullnetar i përkushtuar dhe anëtar i dashur i komunitetit tonë. Si një eksplorues i përjetshëm, Terry së fundmi realizoi ëndrrën e tij për të vizituar çdo kryeqytet të Evropës, me udhëtimet e tij në Prishtinë, Kosovë dhe Tiranë, Shqipëri. I shprehim ngushëllimet më të thella familjes dhe të afërmve të tij, dhe e ruajmë kujtimin e tij me dashuri të madhe dhe mirënjohje të sinqertë.

Next
Next

Buletini i KAEF, dhjetor 2024