Nderimi i Anëtarëve të USKEB dhe Mbledhja e Fulbright Alumni
Nga e majta në të djathtë, ish-anëtarët e USKEB : Znj. Nora Latifi-Jashari (përfaqësuese e Fulbright alumni), Znj. Qamile Sinanaj-Rexhaj (përfaqësuese e MASHTI-t), Dr. Kreshnik Hoti (përfaqësues i akademisë), Znj. Dajana Berisha (përfaqësuese e shoqërisë civile) dhe Znj. Kelsey De Rinaldis (përfaqësuese e Ambasadës së SHBA-së).
11 qershor, 2025, Prishtinë - Komuniteti i Bordit të Shkëmbimit Arsimor SHBA-Kosovë (USKEB), i shoqëruar nga përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), dhe alumni të programit Fulbright, u mblodh për të nderuar kontributin e jashtëzakonshëm të anëtarëve të bordit të parë të USKEB, të cilët përfunduan me sukses dy mandatet e tyre të plota.
Z. Ralan Hill, Chargé d’Affaires a.i. në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, dhe Znj. Bora Shpuza, Shefe e Kabinetit në MASHTI, si partnerë bilateralë të Programit Fulbright në Kosovë, dorëzuan certifikata mirënjohjeje për të vlerësuar përkushtimin e bordit në avancimin e arsimit dhe forcimin e mirëkuptimit të ndërsjellë mes popullit të Kosovës dhe atij të Shteteve të Bashkuara. Z. Hill gjithashtu ndau një certifikatë mirënjohjeje për stafin e USKEB pranë American Councils for International Education Kosova, në shenjë vlerësimi për mbështetjen e tyre ndaj programit.
Znj. Kelsey De Rinaldis (përfaqësuese e Ambasadës së SHBA-së), Znj. Qamile Sinanaj-Rexhaj (përfaqësuese e MASHTI), Dr. Kreshnik Hoti (përfaqësues i akademisë), Znj. Dajana Berisha (përfaqësuese e shoqërisë civile), dhe Znj. Nora Latifi-Jashari (përfaqësuese e Fulbright alumni) u nderuan me çmime dhe duartrokitje të ngrohta në shenjë mirënjohjeje për ekspertizën, profesionalizmin dhe shërbimin e tyre të përkushtuar ndaj USKEB.
Po ashtu, gjatë ngjarjes u prezantuan edhe anëtarët e sapoemëruar të bordit: Znj. Luljeta Plakolli-Kasumi (përfaqësuese e akademisë), Znj. Iliriana Gashi (përfaqësuese e shoqërisë civile), dhe Z. Trim Tërnava (përfaqësues i Fulbright alumni).
Ish-anëtarët e USKEB, anëtarët e bordit dhe stafi i USKEB gjatë ngjarjes “Nderimi i Anëtarëve të USKEB dhe Mbledhja e Fulbright Alumni”
Mbrëmja bashkoi gjithashtu bursistët amerikanë të Fulbright që po përmbyllin vitin e tyre akademik në Kosovë, së bashku me shumë alumni të Fulbright dhe përfitues të rinj të përzgjedhur për bursa.
Bursistët Fulbright nga SHBA në Kosovë, 2024–2025